Poezi

KË DOJA ...?

Vetëm një kohë
ne ishim poetë
vetëm një kohë 
u bëmë dhe këngëtarë
vetëm një kohë
në zemrën time
mbretëroi dashuria 
e jeta shkëlqeu
në miliona llambadarë

Sot pa ty jam 
poete e dështuar
violinë e thyer
valltare e hutuar
qiell pa diell
det i trazuar,
nimfë mali 
pre e gjahtarëve
të këqij,
unë që kurrë 
s’e kuptova
nëse më shumë 
e doja Zotin
shpirtin tim
apo ty? 
SYMBYLLUR, POR JO FJETUR 
Poezi për Azem Shkrelin
 
Penda e jote derdhej 
gurëve të Bogës 
lumenj fjalësh 
rrjedhnin malit Shkrel 
për karvanin e kapelat e bardha 
dhe të bardhën liri 
 
ngjyra harlisej 
gjysmës së rreshtit 
për copën e dheut andej 
e gjysmën tjetër këndej 
 
vargjet e tua të shenjta  
i dhanë shpirt diellit 
errësirës i dhuruan dritë 
stinëve krahë 
e tokës kuq e zi 
i falen sytë me e pa 
 
o lum si ai 
mbret i fjalës 
po sa pak fole 
e sa shumë tha ... 
MES NESH 
 
Loti ende përvëlon sytë e mi 
e shpresa ngroh zemrën e tij 

gjithçka që ndodhi mes nesh 
fajtorë nuk ishim as unë as ti as vetë zemrat... 
 
Dikush i trazoi  shpirtërat tanë 
E  vjeshta na dhuroi vetëtimë e shi 
ne ëndrrimtarët e ditëve që s’erdhën, 
kurrë nuk i thamë  njëri-tjetrit lamtumirë 
e as mirupafshim përsëri...   
VIOLINA … 
 
Sa gjatë, sa gjatë,  
sa vetë jeta 
një natë të prita, 
të pres 
ku humbe se po vdes? 
 
U deshëm shumë, 
shumë u deshëm ne të dy 
më shkrepe si rreze dielli 
për t’u zhdukur si në magji 
 
Vallëzo mbi dhembjen time 
pa lotë e psherëtima 
se violina qan për mua  
dhe e shuan mallin tim 
 
Të prita dhe të pres, 
ku humbe se po vdes 
sa gjatë, sa gjatë 
sa vetë jeta një natë... 
KUR KA DASHURI 
 
Kur dora kërkon dorën me dashuri 
bota qesh ylberi bëhet tetë ngjyrësh 
java tetë ditë e kur dita e nata 
 shkurtohen jeta zgjatet. 
 
Kur buza takon buzën pa tradhëti 
bjeshkët puthen 
era nuk fryn më 
shiu i verës mbush 
lumenj, dete, oqeane 
 
E syri kur i shkrep syrit ngazëllim 
vetëtimat shkrihen në rrezet e diellit 
gjersa ylli i zjarrtë i kthen  
në kristale jete 
atëherë edhe toka gufon për tetë palë qejfe... 
ËSHTË KRISHTLINDJE 
 
Sonte kur të gjithë festojnë 
jam pranë zjarrit që më djeg e s’më ngroh, 
shikoj andej dritares 
e dritë nuk shoh 
 
Me sytë e zemrës sime 
shikoj borën si bie 
i ndiej hapat e tu 
si drejt meje vjen, 
dhe para se njëri-tjetrin të përqafojmë 
mos ma kujto se unë isha ajo që kam gabuar 
por, të lutem  
veç më puth në buzë  
se e imja bëhet bota sonte, 
vetëm sonte dua të jem e jotja. 
 
Eja, se është Krishtlindje! 
SONTE 
 
Pa gjeje sonte pak kohë për mua 
gjeje një këngë një poezi
rrëmbe një grusht ajër një fije diell 
a një grumbull natë 
 
Se çfarë, s’ka rëndësi 
 
Kërkoje një shkëmb një lëndinë 
një truall 
 
Merr hua një dhomë një trëndafil apo pak melodi 
 
Bëj diçka, se çfarë nuk ka rëndësi 
 
Hej ti, gjej, kërko rrëmbe dhe huazo 
bëj çfarë të duash 
por eja këtë natë se n’trupin tim janë ndezur  
me miliarda molekula dashurie. 
EJA... 
 
Nëse më lejon të afrohem 
do t’i them vetëm dy fjalë 
e do t’i vjedh 
vetëm dy puthje 
  
E po të putha sonte 
s’mund të mos kthehem nesër, 
pasnesër... 
 
Eja pra sonte 
e falma një copë zemër   
t’i dhuroj dy jetë 
 
Eja, se etje ka nata 
ti, engjëlli dhe harpa e ëndrrave të mia... 
TI ... 
 
Nuk kam forcë të dashuroj 
se më është këputur shpirti, 
as të kërkoj nuk mundem 
se këmbët nuk ecin dot pa kokë 
e koka më ka humbur në horizont 
 
Të përgjërohem për dashurinë  
eja mos më lerë të bëhem pluhur 
që s’mund ta zërë askush ti, 
që më thua erdha e nuk dukesh askund. 
 
Duhet të gjej pak kohë për veten 
fjalët më shëtisin e ulen tek pragu 
veç shpresa ende nuk ka sosur 
qielli më prehet mbi sy pa droje... 
ëndrra ka zënë pritë e bën roje... 
ÇFARË DO T´I TREGOSH ZOTIT? 
 
Çfarë do t’i tregosh Zotit  
kur të prekësh amshimin? 
a do t’i thuash  
se më deshe mua  më shumë se atë? 
 
A do ta mohosh 
se e përbuzje emrin e tij 
ashtu siç të përbuzja unë ty  
apo do t’i kërkosh falje 
për mëkatet e mia 
për të qenë përsëri bashkë?   
 
Jo i dashur, mos e gënje Zotin 
mos u prish më atë  
ai me njeh ti thjesht hesht 
e fshehurazi mbaje fronin e dashurisë...  
NUK TË KISHA BORXH 
 
Kur asaj i thoje  njëmijë e njëherë të dua 
e mua njëherë 
para kujt ndiheshe  i dobët? 
 
Dhe kur ike prej aty 
për t’u kthyer përsëri pranë meje 
pse erdhe unë nuk të thashë? 
 
Për të qaje natën 
e mua më pështyje ditën pse 

Nuk të kisha borxh!  
 
E tani pash Perëndinë 
çmendurinë mbaje për vete 
se mjaft më dogje mua 
nën hijen e zjarreve të tua… 
SHPIRTI IM 
 
Sa e sa rrugë na bashkuan  
sa e sa kilometra na ndajnë 
të desha, të dua, do të dua 
dashuri e bukur, e marrë 
 
Të thirra, më erdhe, ku shkove? 
dashuri e ëmbël plot zjarr 
eja më shtrëngo, 
e me thuaj të dua se çdo pritje  
është goditje mbi mua 
 
Eja pra të pijmë verë me shishe 
gotat t’i thyejmë
t’i bëjmë copë-copë 
s’ka largësi  që na ndan, shpirti im …

Sa e madhe, sa e vogël thonë është kjo botë...