Arti ka nevojë për ballafaqime dhe sfida të reja ndërsa letërsia është gjuhë e bukur edhe për mesazhin të cilin e përcjell. Ajo është arratisje nga përditshmëria dhe shtegtim në një botë të fantazisë. Ajo është diçka që më mundëson të shprehem dhe më plotëson. Roli i saj është të ndërtojë ura mes njerëzve dhe duke tematizuar edhe çështjet sociale, fatet kolektive dhe individuale.
Për mua poezia është për vrapuesit e shtigjeve të shkurtra, romani për maratonistë. Unë jam e prirur që të përshkruaj fenomenet shoqërore në formë artistike. E kaluara është në fokus të shkrimeve të mia. Aty fantazia ime gjen lirinë dhe hapësirën e duhur për t’u bërë produktive duke prodhuar kështu ngjarje sa të prekshme po aq edhe sureale. Personazhet në librat e mi rebelohen dhe ngritën kundër padrejtësive.
Të shkruarit e kuptoj si liri dhe arratisje por edhe si instrument që reflekton dhe kritikon. Në anën tjetër u takoj atyre krijuesve që jetojnë për të shkruar dhe nuk jetojnë nga shkrimet, së paku jo deri më tani. Letërsia mbetet për mua më pak se profesion por shumë më tepër sa sa vetëm hobi, Ajo është bërë pjesë e pandashme e jetës sime duke më mundësuar që të njoh më shumë vetveten. Ajo tashmë është një UNË e dytë.
Ju ftoj që nëpërmjet leximit të teksteve të mia, qoftë ato reale apo fiktive, të depërtoni në shpirtin tim krijues duke u bërë kështu bashkudhëtarë të vizionit tim për t’i dhënë fjalëve frymë jete kudo.
Lexim të këndshëm!



