KË DOJA ...? Vetëm një kohë ne ishim poetë vetëm një kohë u bëmë dhe këngëtarë vetëm një kohë në zemrën time mbretëroi dashuria e jeta shkëlqeu në miliona llambadarë Sot pa ty jam poete e dështuar violinë e thyer valltare e hutuar qiell pa diell det i trazuar, nimfë mali pre e gjahtarëve të këqij, unë që kurrë s’e kuptova nëse më shumë e doja Zotin shpirtin tim apo ty?
SYMBYLLUR, POR JO FJETUR Poezi për Azem Shkrelin Penda e jote derdhej gurëve të Bogës lumenj fjalësh rrjedhnin malit Shkrel për karvanin e kapelat e bardha dhe të bardhën liri ngjyra harlisej gjysmës së rreshtit për copën e dheut andej e gjysmën tjetër këndej vargjet e tua të shenjta i dhanë shpirt diellit errësirës i dhuruan dritë stinëve krahë e tokës kuq e zi i falen sytë me e pa o lum si ai mbret i fjalës po sa pak fole e sa shumë tha ...
MES NESH Loti ende përvëlon sytë e mi e shpresa ngroh zemrën e tij gjithçka që ndodhi mes nesh fajtorë nuk ishim as unë as ti as vetë zemrat... Dikush i trazoi shpirtërat tanë E vjeshta na dhuroi vetëtimë e shi ne ëndrrimtarët e ditëve që s’erdhën, kurrë nuk i thamë njëri-tjetrit lamtumirë e as mirupafshim përsëri...
VIOLINA … Sa gjatë, sa gjatë, sa vetë jeta një natë të prita, të pres ku humbe se po vdes? U deshëm shumë, shumë u deshëm ne të dy më shkrepe si rreze dielli për t’u zhdukur si në magji Vallëzo mbi dhembjen time pa lotë e psherëtima se violina qan për mua dhe e shuan mallin tim Të prita dhe të pres, ku humbe se po vdes sa gjatë, sa gjatë sa vetë jeta një natë...
KUR KA DASHURI Kur dora kërkon dorën me dashuri bota qesh ylberi bëhet tetë ngjyrësh java tetë ditë e kur dita e nata shkurtohen jeta zgjatet. Kur buza takon buzën pa tradhëti bjeshkët puthen era nuk fryn më shiu i verës mbush lumenj, dete, oqeane E syri kur i shkrep syrit ngazëllim vetëtimat shkrihen në rrezet e diellit gjersa ylli i zjarrtë i kthen në kristale jete atëherë edhe toka gufon për tetë palë qejfe...
ËSHTË KRISHTLINDJE Sonte kur të gjithë festojnë jam pranë zjarrit që më djeg e s’më ngroh, shikoj andej dritares e dritë nuk shoh Me sytë e zemrës sime shikoj borën si bie i ndiej hapat e tu si drejt meje vjen, dhe para se njëri-tjetrin të përqafojmë mos ma kujto se unë isha ajo që kam gabuar por, të lutem veç më puth në buzë se e imja bëhet bota sonte, vetëm sonte dua të jem e jotja. Eja, se është Krishtlindje!
SONTE Pa gjeje sonte pak kohë për mua gjeje një këngë një poezi rrëmbe një grusht ajër një fije diell a një grumbull natë Se çfarë, s’ka rëndësi Kërkoje një shkëmb një lëndinë një truall Merr hua një dhomë një trëndafil apo pak melodi Bëj diçka, se çfarë nuk ka rëndësi Hej ti, gjej, kërko rrëmbe dhe huazo bëj çfarë të duash por eja këtë natë se n’trupin tim janë ndezur me miliarda molekula dashurie.
EJA... Nëse më lejon të afrohem do t’i them vetëm dy fjalë e do t’i vjedh vetëm dy puthje E po të putha sonte s’mund të mos kthehem nesër, pasnesër... Eja pra sonte e falma një copë zemër t’i dhuroj dy jetë Eja, se etje ka nata ti, engjëlli dhe harpa e ëndrrave të mia...
TI ... Nuk kam forcë të dashuroj se më është këputur shpirti, as të kërkoj nuk mundem se këmbët nuk ecin dot pa kokë e koka më ka humbur në horizont Të përgjërohem për dashurinë eja mos më lerë të bëhem pluhur që s’mund ta zërë askush ti, që më thua erdha e nuk dukesh askund. Duhet të gjej pak kohë për veten fjalët më shëtisin e ulen tek pragu veç shpresa ende nuk ka sosur qielli më prehet mbi sy pa droje... ëndrra ka zënë pritë e bën roje...
ÇFARË DO T´I TREGOSH ZOTIT? Çfarë do t’i tregosh Zotit kur të prekësh amshimin? a do t’i thuash se më deshe mua më shumë se atë? A do ta mohosh se e përbuzje emrin e tij ashtu siç të përbuzja unë ty apo do t’i kërkosh falje për mëkatet e mia për të qenë përsëri bashkë? Jo i dashur, mos e gënje Zotin mos u prish më atë ai me njeh ti thjesht hesht e fshehurazi mbaje fronin e dashurisë...
NUK TË KISHA BORXH Kur asaj i thoje njëmijë e njëherë të dua e mua njëherë para kujt ndiheshe i dobët? Dhe kur ike prej aty për t’u kthyer përsëri pranë meje pse erdhe unë nuk të thashë? Për të qaje natën e mua më pështyje ditën pse Nuk të kisha borxh! E tani pash Perëndinë çmendurinë mbaje për vete se mjaft më dogje mua nën hijen e zjarreve të tua…
SHPIRTI IM Sa e sa rrugë na bashkuan sa e sa kilometra na ndajnë të desha, të dua, do të dua dashuri e bukur, e marrë Të thirra, më erdhe, ku shkove? dashuri e ëmbël plot zjarr eja më shtrëngo, e me thuaj të dua se çdo pritje është goditje mbi mua Eja pra të pijmë verë me shishe gotat t’i thyejmë t’i bëjmë copë-copë s’ka largësi që na ndan, shpirti im … Sa e madhe, sa e vogël thonë është kjo botë...



